Prefektura e Qarkut Durrës ka shpallur përfundimin e sezonit turistik veror 2025, i cili, sipas saj nisi më 1 qershor dhe u mbyll më 15 shtator. Nën drejtimin e prefektit Emiljan Jani u zhvillua mbledhja përmbyllëse e Task Forcës Ndërinstitucionale, ku u bë një analizë e veprimtarisë së zhvilluar gjatë muajve të verës.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, ndër të cilët zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit, Egert Hoxha, drejtori i Agjencisë Rajonale të Bregdetit, Shpëtim Çiku, kapiteni i Portit të Durrësit, Tauland Allka, zv/drejtori i Sigurisë Publike në DVP Durrës, Çlirim Nela, si dhe përfaqësues të Inspektoratit të Punës.
Sipas njoftimit të prefekturës, gjatë sezonit, Task Forca ka monitoruar dhe koordinuar punën në gjithë vijën bregdetare, duke garantuar shërbime efikase, menaxhim më të mirë të hapësirave turistike dhe siguri për pushuesit vendas e të huaj.
Në përfundim të mbledhjes, institucionet theksuan rëndësinë e planifikimit të hershëm për sezonin 2026, duke vendosur si objektiv lidhjen e kontratave me sipërmarrësit brenda muajit prill dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Nga ana tjetër, bashkia dhe operatorët turistikë të Durrësit shprehen se qyteti bregdetar nuk kufizohet vetëm në sezonin veror, por sezoni turistik shtrihet gjatë gjithë vitit dhe ky është synim i vazhdueshëm, duke ofruar aktivitete dhe shërbime që tërheqin vizitorë edhe jashtë muajve të verës.
©️zërionline


