Nën masa të rrepta sigurie dhe një perimetër të gjerë, ekspertë të specializuar nga Tirana kanë mbërritur në Porto Romano për të marrë mostrat e mbetjeve të dyshuara toksike, të depozituara prej një viti në këtë zonë industriale të Durrësit. Procesi po zhvillohet me kujdes, pasi dyshohet se për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë marrjen e kampionëve më të ndërlikuar.

I gjithë operacioni po regjistrohet me video, për të garantuar transparencën e procedurës. Mostrat e marra do të dërgohen për analiza të detajuara në një laborator të specializuar në Itali, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të toksicitetit.
Këto mbetje, që arrijnë në rreth 2100 tonë, janë në 102 konteinerët e sekuestruar me urdhër të Prokurorisë, të cilët pas skanimit dhe verifikimeve në Portin e Durrësit, u magazinuan në venddepozitimin e Porto Romanos, në afërsi të EkoParkut.
Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara i mori në dorëzim konteinerët vjeshtën e kaluar. Brenda një kohe të shkurtër, Ministria e Brendshme siguroi një sipërfaqe toke me qira, ku u ngrit infrastruktura e nevojshme për ruajtjen e tyre, duke përfshirë sistemin e kamerave të sigurisë dhe linjën e internetit për mbikëqyrje 24-orëshe.
Analizat që pritet të kryhen jashtë vendit do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse mbetjet përbëjnë rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik, si dhe për të vendosur hapat e mëtejshëm për trajtimin apo asgjësimin e tyre.
©️zërionline


