Dëshmia e kamarierit Alteo Pepa në polici ka ndihmuar në zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit të rëndë me dy viktima në Manëz, ndërkohë që edhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në dokumentimin e ngjarjes.
Sipas dëshmisë së tij, në momentin e krimit në lokal ndodheshin pesë persona. Ai ka treguar se pavarësisht mbiemrit të njëjtë, me autorin e dyshuar, Daniel Pepa, nuk ka lidhje familjare, por janë të njohur dhe banojnë afër njëri-tjetrit, jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja tragjike.
Në rrëfimin e tij përpara hetuesve, kamarieri ka treguar:
“Rreth orës 1:00 – 1:30 të natës, në lokal erdhën Daniel Pepa dhe Araniti. Më kërkuan të bëja kafe, por u thashë se ekspresi ishte fikur. Danieli këmbënguli se donte patjetër kafe, ndërsa unë i shpjegova se nuk mund të bëhej në atë orë. Ai u acarua dhe në atë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah. Prej aty nisi debati mes tyre. Ata dolën jashtë, te dera e lokalit, dhe aty Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit. Menjëherë pas kësaj, Danieli mori armën dhe qëlloi mbi Florin, duke e lënë të vdekur në vend.”

Ky përshkrim i detajuar nga kamarieri, së bashku me provat filmike, ka ndihmuar hetuesit të rindërtojnë minutë pas minute ngjarjen e rëndë që tronditi Manzën në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit.
©️zërionline


