Gjykata e Tiranës dënoi me 16 vite burg adoleshentin Mario Përlleshaj. Si autori, ashtu edhe viktima ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet, ndërsa ngjarja tronditi opinionin publik. Pas vendimit, avokati i familjes Cani tha se sot drejtësia u vu në vend. “Ne mendojmë se nuk është çështje dënimi, por drejtësie, çështje për të mbrojtur dy të mitur dhe shumë pre tyre. Ky duhet të jetë mesazh për qeverinë shqiptare dhe institucionet arsimore, që edukojnë rininë shqiptare. Ne do të ndjekim dhe më tutje çdo të drejtë ligjore të familjes Cani. Do të vazhdojmë në instancat më të larta, për këtë çështje. Është dënuar për dy vepra penale, ka marrë vetëm 16 vite dënim. Ne do ta vlerësojmë vendimin kur të zbardhet i plotë, po sot gjykata bëri drejtësi.”, tha ai. Babai i Martin Canit, Ëngjell Cani komentoi për mediat vendimin e Gjykatës së Tiranës. Ai tha se sot pati një rreze drite për Martinin, ndërsa theksoi se edhe dënimi me burg përjetë nuk do të shuante dhimbjen.

“Kodi për të mitur e përgjysmon dënimin, po ky ka nxjerrë një rreze drite për Martinin dhe Luizin. Po dhimbja nuk krahasohet, sikur edhe burgim të përjetshëm të kishte. Ngjarjen e di gjithkush. U bë dhe e di e tërë Tirana. Të gjithë e dinë këtë ngjarje. Shkolla nuk ka kërkuar as pendesë, asgjë. Mediat e huaja i kanë bërë jehonë Martinit. Me një sms shkolla mund të shpëtonte jetë.”, tha babai.
Vitin e kaluar, sipas autorit, ata e kishin lënë të sqaroheshin të hënën, ditë kur edhe ndodhi vrasja, në një rrugicë pak metra larg shkollës. Tri ditë para se të vritej gjatë një sherri pas përfundimit të mësimit, Martin Cani dhe i dyshuari, kishin pasur një konflikt brenda shkollës, i cili në dukje u mbyll, por u neglizhua edhe nga vetë oficerja e sigurisë së “Fan Nolit” duke mos u raportuar në drejtori apo tek prindërit e fëmijëve. Ngjarja tragjike ndodhi pas mësimit. Ata u takuan jo shumë larg shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes, autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.
©️zërionline


