“Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe i pirë”. Kështu e ka justifikuar para hetuesve 56-vjeçari Mikel Ndoj sulmin me thikë ndaj vajzës së tij dhe kolegut të saj të punës, një ngjarje e rëndë e ndodhur paraditen e së hënës në lagjen nr. 12 të qytetit të Durrësit.
Sipas dëshmisë së tij, Ndoj është paraqitur në vendin e punës së vajzës pasi kjo e fundit nuk i ishte përgjigjur thirrjeve telefonike. Ai ka deklaruar se synonte të bashkohej me familjen, por ato nuk e pranonin.
“Dua të bashkohem me familjen, por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte më asnjë lidhje me mua, më shpërfillte dhe më injoronte”, ka deklaruar ai. Sipas rrëfimit, gjatë takimit vajza i ka thënë se nuk dëshironte më asnjë kontakt me të, duke shtuar se për të “nuk ekzistonte më”.
“Në atë moment m’u errësuan sytë”, ka pohuar 56-vjeçari, duke treguar se i kishte kërkuar vajzës të dilnin jashtë për të biseduar, por ajo e kishte shtyrë. Më pas, ai pretendon se nuk mban mend qartë se çfarë ka ndodhur.
Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe një koleg i vajzës, i cili ka tentuar ta ndalojë autorin, por gjatë përplasjes është plagosur edhe ai nga goditjet me thikë. “Teksa po përpiqej të më largonte, u pre edhe ai”, ka deklaruar Ndoj, duke shtuar se të riun nuk e njihte fare.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit dhe është fshehur në një zonë pranë repartit të zjarrfikëses, ku sipas tij ka reflektuar mbi atë që kishte ndodhur. “Aty e kuptova çfarë kisha bërë. Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool”, ka thënë ai. Në përfundim të dëshmisë, 56-vjeçari shpreh pendesë për veprimet e tij, duke kërkuar falje publike për vajzën dhe për kolegun e saj të plagosur. “Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. Nuk di çfarë të them, ndihem keq”, mësohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa të plagosurit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


