Një aksion antidrogë është zhvilluar gjatë orëve të natës në Lezhë, ku policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike.
Një godinë katërkatëshe biznesi, e ndodhur në anë të superstradës Lezhë–Milot, ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Ky aktivitet kriminal u zbulua nga policia, e cila gjatë natës zhvilloi operacionin e koduar “Second Floor”, ku u arrestuan babë e bir, si dhe një punonjës i OSHEE-së, ndërsa katër persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Sipas policisë, në katin e dytë të këtij objekti ishin përshtatur katër ambiente për kultivimin e bimëve narkotike, të pajisura me llamba ndriçimi. Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), si autorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u arrestua shtetasi Gjon Doda, 59 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për katër punonjës të OSHEE-së, shtetasit M. P., A. Gj., E. R. dhe O. T., të dyshuar për shpërdorim detyre.

Nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.
Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se objekti ishte marrë me qira nga babë e bir që prej muajit qershor të vitit 2025 dhe ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Nga hetimet dyshohet se kjo veprimtari kriminale kryhej prej disa muajsh. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Materialet hetimore do t’i referohen prokurorisë së Lezhës.
©️zërionline


