Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Shijak, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, në lagjen Kodër të Shijakut, ku sipas Policisë, dy kushërinjtë Dorian Ferra, 35 vjeç dhe Indrit Ferra, 38 vjeç, janë përfshirë në një konflikt me shtetasin Denis Çumani, 45 vjeç.
Gjatë përplasjes, 45-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, duke mbetur i plagosur. Ai është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Autorët e dyshuar janë larguar nga vendngjarja dhe vijojnë të jenë në kërkim. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle intensive për kapjen e tyre.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
©️zërionline


