Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, dhe ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kalimin e çështjes në gjykim.
Kërkesa është depozituar nga prokurori Elvin Gokaj pak ditë pas paraqitjes së Rroshit në SPAK, ku ai firmosi aktin e mbylljes së hetimeve. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Rudina Palloj.
Rroshi është marrë i pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Hetimi lidhet me parregullsi të konstatuara në procedura tenderuese gjatë kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Procedimi nisi pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtator 2015, ku përfshiheshin edhe dhjetë zyrtarë të tjerë. Sipas kallëzimit, dyshohet për një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh, të shkaktuar nga tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet dolën nga një auditim për periudhën janar 2013 deri në dhjetor 2014. Në total u evidentuan 12 procedura prokurimi, kryesisht për punime infrastrukturore dhe gjelbërim urban. Në dy raste, bashkia u akuzua për përdorim të standardeve të ndryshme në vlerësimin e ofertave, duke përjashtuar operatorin me çmimin më të ulët. Për tre tenderë të tjerë, u konstatua skualifikim i padrejtë si pasojë e llogaritjeve të pasakta.
Dosja u trajtua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila kërkoi pushimin e saj. Më pas, një vendim i Gjykatës së Posaçme urdhëroi që hetimi të vazhdonte nga SPAK.
Në maj 2025, SPAK sekuestroi celularin e Rroshit dhe kreu kontrolle personale ndaj tij, në kuadër të një hetimi tjetër që lidhej me dyshime për korrupsion zgjedhor gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit në Kavajë.
Me kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim, procesi ndaj ish-kryebashkiakut hyn në fazën gjyqësore pas një hetimi që u rihap me vendim të Gjykatës së Posaçme.
©️zërionline


