Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë ndërroi jetë këtë të enjte pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë riparimit të një defekti në zonën e Rrilës
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 dhe viktimë mbeti 27-vjeçari Mark Prenga, banues në fshatin Pllanë.
Viktima ishte njoftuar nga banorët për mungesë të energjisë elektrike në zonën e Rrilës dhe, së bashku me dy punonjës të tjerë, kishte shkuar për riparimin e defektit në afërsi të nënstacionit elektrik.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se, sapo ka hipur në shtyllë, 27-vjeçari ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, pasi njëra nga linjat paralele kishte ende rrymë elektrike.
Trupi i pajetë i elektricistit u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
Lidhur me ngjarjen kanë nisur hetimet. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po verifikon nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë dhe protokollet e përcaktuara.
Ndërkohë, krahas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, rrjeti i amortizuar në fshatrat e Lezhës është kthyer në një rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të OSHEE-së.
Mark Prenga është viktima e tretë brenda pak muajsh, pasi gjatë vitit të kaluar humbën jetën dy qytetare një vajzë e re dhe një grua, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, për shkak të shkëputjes dhe rënies së linjave në tokë.
Viktima kishte prej tre vitesh që punonte pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe mbulonte zonën e Rrilës.
“Informacion paraprak/Rreth orës 09:40, shtetasi M. P., 27 vjeç, me profesion elektricist, gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë të energjisë elektrike në fshatin Rrilë, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën dhe si pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
©️zërionline


