Ndërsa ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më fort në vijat bregdetare të Europës, Durrësi bëhet pjesë e një partneriteti ndërkombëtar që synon të ripërcaktojë mënyrën se si zhvillohen dhe mbrohen këto zona në dekadat e ardhshme. Projekti “Coast Craft”, i financuar nga Interreg Europe me mbështetjen e Bashkimi Evropian, bashkon autoritete lokale dhe rajonale nga pesë dete evropiane për të ndërtuar politika më të zgjuara, më kreative dhe më të qëndrueshme për zhvillimin bregdetar. Në këtë nismë është krijuar një rrjet nga Holanda në Mesdhe ku janë përfshirë rajonet e Vlissingen në Holandë, Oostende dhe Provinca e Flandrës Perëndimore në Belgjikë, rajoni Severoiztochen në zonën e Detit të Zi në Bullgari, Durrësi në Shqipëri, rajoni Vidurio ir vakarų Lietuvos në Lituani, Regioni i Murcias në Spanjë si dhe Livorno në Toskanë, Itali.

Nga Shqipëria, pjesë e projektit është organizata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare”, duke e vendosur Durrësin në një platformë bashkëpunimi europian për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e vijës bregdetare, përshtatjen ndaj klimës dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Zona bregdetare europiane ka një peshë të jashtëzakonshme ekonomike dhe demografike, ku rreth 500 milionë evropianë jetojnë dhe punojnë. Megjithatë, këto territore përballen njëkohësisht me presion zhvillimor dhe me rreziqe afatgjata nga rritja e nivelit të detit. Kripëzimi i tokës, thatësirat dhe reshjet intensive janë pasoja që prekin ndjeshëm rajonet bregdetare, përfshirë edhe qytete si Durrësi, ku turizmi, porti dhe zhvillimi urban varen nga stabiliteti i vijës bregdetare.
Sipas konceptit të projektit, aktualisht dominojnë dy qasje: zhvillimi i shpejtë afatshkurtër që shpesh lë pas dore perspektivën afatgjatë, ose përqendrimi vetëm në sigurinë bregdetare pa shfrytëzuar potencialin ekonomik dhe hapësinor. COASTCRAFT synon të ndërtojë një model të tretë: zhvillim të qëndrueshëm, përfshirës dhe rezistent ndaj klimës, në përputhje me objektivin e BE-së për të arritur një shoqëri rezistente ndaj klimës deri në vitin 2050.
Nga modeli holandez te praktikat për Mesdheun
Partneriteti u lançua zyrtarisht në Vlissingen, ku përfaqësuesit e rajoneve u mblodhën më 3-5 qershor 2025. Ata vizituan sistemin e njohur të mbrojtjes nga përmbytjet Delta Works, një nga projektet më të mëdha inxhinierike në botë për kontrollin e ujërave dhe mbrojtjen e territorit nga deti.
Në vitet në vijim, partnerët do të shkëmbejnë praktikat më të mira, do të zhvillojnë kërkime dhe politika të përmirësuara dhe do të aplikojnë mjete digjitale inovative për menaxhimin e zonave bregdetare.
Çfarë do të thotë kjo për Durrësin?
Për një qytet si Durrësi, me vijë të gjatë bregdetare, port strategjik dhe presion të lartë urban e turistik, pjesëmarrja në këtë rrjet do të thotë akses në ekspertizë europiane, modele të suksesshme mbrojtjeje dhe planifikim më të strukturuar afatgjatë.
Në një kohë kur diskutimet për zhvillimin urban dhe mbrojtjen e territorit janë gjithnjë e më të ndjeshme, përfshirja në COAST CRAFT vendos Durrësin në tryezën europiane të politikave për të ardhmen e bregdetit.
Për më shumë informacion mbi projektin, vizitoni: Creative Options And Smart Techniques for Coastal Regions Adapting Flooding Tactics | Interreg Europe
V.Q.
©️zërionline


