Duke i kthyer mbetjet në mundësi dhe me synimin për një Shqipëri më të pastër, në Ministrinë e Mjedisit në Tiranë u lançua “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve në Shqipëri”, një projekt i madh me bashkëfinancim gjermano-zviceran, i zbatuar nga KfW.
Me një fond total prej 66.65 milionë eurosh, ky konsiderohet programi më i madh i investimeve në sektorin e menaxhimit të mbetjeve në vend, duke synuar modernizimin rrënjësor të këtij shërbimi në pesë qytete: Durrës, Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë.
Durrësi, nyje strategjike e ndërhyrjes
Për Durrësin, një nga qytetet më të mëdha dhe me fluks të lartë turistik, ndërhyrja shihet si thelbësore. Me rritjen e popullsisë dhe shtimin e ndërtimeve, menaxhimi i mbetjeve ka qenë ndër sfidat kryesore të infrastrukturës urbane.
Programi parashikon:
- Ndërtimin e landfilleve të reja sipas standardeve të BE-së
- Impiante moderne për ndarjen dhe kompostimin e mbetjeve
- Stacione grumbullimi dhe transferimi
- Modernizim të teknologjisë së grumbullimit
- Mbylljen dhe rehabilitimin e landfilleve të paligjshme
Për një qytet bregdetar si Durrësi, që përballon rritje të ndjeshme të mbetjeve gjatë sezonit veror, këto investime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës, mbrojtjen e mjedisit dhe imazhin turistik.
Mbështetje afatgjatë nga Gjermania dhe partnerët
Gjermania ka mbështetur prej vitesh zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri. Së bashku me KfW dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë si SECO, Bashkimi Evropian, AFD dhe GIZ, projekti synon jo vetëm investime infrastrukturore, por edhe forcimin e institucioneve dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për riciklimin.
Programi do të shtrihet gjithashtu në Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë, duke synuar përafrimin e menaxhimit të mbetjeve me standardet e BE-së dhe parimet e ekonomisë qarkulluese.
Mesazhi i ambasadës gjermane është i qartë: menaxhimi efektiv i mbetjeve nuk nënkupton thjesht asgjësim, por transformim të tyre në burim zhvillimi, klimë më të pastër dhe qytete më të qëndrueshme. Për Durrësin, kjo përkthehet në një hap konkret drejt një infrastrukture moderne dhe një mjedisi më të shëndetshëm për banorët dhe vizitorët.
Urojmë të ndodhë
©️zërionline


