Operacionet policore kundër prostitucionit në Durrës vijojnë me intensitet, ndërsa strukturat e hetimit po përpiqen të çmontojnë një fenomen që prej vitesh shfaqet i organizuar dhe me lidhje ndërkombëtare.
Pas dy javësh hetime me metoda proaktive, është finalizuar operacioni i koduar “Storm 16”, i cili çoi në zbulimin e një ambienti të marrë me qira në lagjen nr. 13, i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.

Si rezultat i ndërhyrjes, u proceduan penalisht dy shtetase braziliane, të identifikuara si L. C., 33 vjeçe, e kapur në një hotel, dhe V. B., 27 vjeçe, e gjetur në ambientin e marrë me qira, të dyshuara për ushtrim prostitucioni. Në të njëjtën linjë hetimi, u procedua edhe administratori i hotelit, 45-vjeçari K. P., për fshehje të të ardhurave.
Ndërkohë, dy shtetase të tjera braziliane janë shpallur në kërkim: njëra si organizatore e dyshuar, pasi kishte marrë me qira ambientin, dhe tjetra që dyshohet se e kishte ushtruar më herët këtë aktivitet në të njëjtin vend.

Operacioni përfshiu gjithashtu procedimin penal të 8 shtetasve të tjerë nga Durrësi, Vlora dhe Divjaka, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan shuma parash të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari, 10 telefona celularë dhe pasaporta.
Një fenomen i përsëritur dhe me shtrirje ndërkombëtare
“Storm 16” nuk është një rast i izoluar. Në vitet e fundit, policia e Durrësit ka zhvilluar të paktën 16 operacione të ngjashme, duke goditur rrjete të organizuara prostitucioni. Në pranga kanë përfunduar kryesisht shtetase të huaja, të identifikuara si tutore, organizatore apo ushtruese të prostitucionit, me origjinë kryesisht nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë, veçanërisht nga Kina.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një tjetër dimension të fenomenit. Dhjetëra djem dhe burra shqiptarë janë vënë nën hetim apo janë kapur në flagrancë gjatë kontrolleve në banesa të marra me qira, të përdorura si baza për këtë aktivitet të paligjshëm.
Apartamente me qira, skema e preferuar
Sipas burimeve hetimore, përdorimi i apartamenteve të marra me qira mbetet një nga format më të përhapura për ushtrimin e prostitucionit, duke e bërë më të vështirë zbulimin dhe goditjen në kohë të këtyre rasteve.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se operacionet do të vijojnë, me fokus jo vetëm ndëshkimin e personave të përfshirë drejtpërdrejt, por edhe identifikimin e organizatorëve dhe rrjeteve që qëndrojnë pas kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shtrirjen e këtij rrjeti.
©️zërionline


