Kanë kaluar vetëm pak ditë nga ndarja e papritur nga jeta e 17-vjeçarit Florian Saraçi, një humbje që ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe gjithë shoqërinë e tij.
I riu, i përshkruar nga të gjithë si një djalë çapkën, shok i mirë dhe plot jetë, u nda nga jeta në mënyrë të papritur, në një ditë të zakonshme shkolle. Ngjarja ndodhi në ambientet e palestrës së shkollës “Marie Kaçulini”, aty ku gjimnazi “Gjergj Kastrioti” zhvillon mësimin në turnin e pasdites.
Ishte e premtja e kaluar kur Florian u ndje papritur keq. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe përpjekjeve për t’i ardhur në ndihmë, gjithçka rezultoi e kotë. Ai u largua përgjithmonë, duke lënë pas prindërit, motrën, por edhe dhjetëra shokë e shoqe që sot e kujtojnë me mall dhe dhimbje.
Në ambientet e shkollës, kujtimi i tij është ende i gjallë. Mes shumë mesazheve, videove dhe fotove të shumta të ndara në rrjetet sociale, spikat dhe kjo foto shoqëruar me një dedikim prekës nga miqtë e tij:
“Flor, ikja jote na ka lënë
një boshllëk që nuk
mbushet kurrë. Kujtimet
me ty do të jetojnë
gjithmonë në zemrat tona,
si dritë që nuk shuhet.
Ti nuk je më mes nesh, por
do të mbetesh përjetë në
shpirtin tonë. Shihemi në
botën tjetër… U prehsh në paqe.”
Një mesazh i thjeshtë, por i mbushur me dhimbje, që flet për boshllëkun që një jetë e re lë pas kur shuhet shumë shpejt. Në bankat e shkollës dhe në kujtimet e shokëve, Florian do të mbetet ai djali i buzëqeshur, i shkathët që iku shumë herët.
©️zërionline


