Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë është regjistruar gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një 47-vjeçar u gjet pa shenja jete.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, shtetasi Ilir Zarka u konstatua i pajetë në dritaren e një banese, ndërsa nga këqyrja e parë nuk janë vërejtur shenja dhune në trupin e tij. Dyshohet, sipas policisë, se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e asfiksisë, gjatë një tentative për t’u futur në banesë.

Hetimet paraprake sugjerojnë se viktima kishte tentuar të hynte në banesë duke thyer xhamin e një dritareje dhe duke u ngjitur me ndihmën e një stoli. Në rrethana ende për t’u sqaruar, ai dyshohet se ka humbur ekuilibrin, duke mbetur i bllokuar në dritare për disa orë gjatë natës, që mund t’i ketë sjellë edhe humbjen e jetës.
Trupi i pajetë është konstatuar në orët e mëngjesit nga një fqinj që kujdesej për banesën, e cila i përket një shtetasi që ndodhet prej rreth një muaji në Greqi.

“Banesa është e vëllait tim, i cili ndodhet në Greqi prej një muaji. Një fqinj që kujdeset për shtëpinë e ka gjetur në dritare dhe ka njoftuar policinë”, ka deklaruar Nikollaq Lule, vëllai i pronarit të banesës.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e Fierit për ekspertizë mjeko-ligjore.
©️zërionline


