Mbrëmjen e kaluar, salla e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës u mbush me emocione dhe art rinor, teksa trupa e nxënësve të gjimnazit “Naim Frashëri” solli për publikun shfaqjen “Medea” nga Euripidi, në kuadër të projektit “Moisiu i Ri”.
Një tragjedi e fuqishme klasike, e sjellë me ndjeshmëri nga të rinjtë, të cilët dëshmuan se teatri mbetet një gjuhë universale që kapërcen kohët. Në çdo rol të interpretuar, një e vërtetë e heshtur mori zë, duke prekur publikun dhe duke e mbajtur atë të lidhur me skenën nga fillimi deri në fund dhe duke rikthyer në vëmendje një nga tragjeditë më të forta greke, atë të Medeas që sfidon rolet gjinore dhe moralin e diktuar.


Nën skenografinë e realizuar nga Lorenc Fasho dhe kostumografinë e Izabela Isakut, shfaqja mori jetë përmes një kombinimi të kujdesshëm estetik dhe interpretimi artistik. Në skenë u ngjitën nxënësit-aktorë Irsa Vila, Artenis Gjoka, Noel Sallaku, Sara Bitri, Klajdi Bukaçi, Fatmir Mustafai, Kejsi Kaci, Alesia Haxhiaj, Nejla Meçani, Jona Metani dhe Ergisa Leka.

Kjo shfaqje vjen pas suksesit të arritur dy javë më parë në konkursin teatror mes 7 shkollave të mesme të Durrësit, kur “Medea” u vlerësua si shfaqja më e mirë, ndërsa Irsa Vila u shpall aktorja më e mirë dhe Lorenc Fasho u vlerësua gjithashtu për skenografinë më të mirë nga një juri profesioniste.
Ky projekt i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po promovon artin skenik te të rinjtë, duke i dhënë hapësirë talenteve të reja të shprehin pasionin dhe zërin e tyre në skenë. Shfaqja e mbrëmshme ishte dëshmi e qartë se të rinjtë durrsakë kanë potencial për të mbajtur gjallë traditën teatrore, por nuk duhet të mungojnë nismat që i angazhojnë.
©️zërionline


