Shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela”në Shkozet ka çelur dyert për panairin e saj të përvitshëm, një aktivitet që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme për promovimin e arsimit profesional në Shqipëri. Në këtë panair, nxënësit prezantuan punët e realizuara gjatë vitit shkollor, duke sjellë në vëmendje jo vetëm përkushtimin e tyre, por edhe rëndësinë e aftësive praktike në një treg pune gjithnjë e më kërkues.


Atmosfera e panairit ishte dinamike dhe plot kreativitet. Stendat e përgatitura nga nxënësit e mësuesit pasqyronin një gamë të gjerë profesionesh, nga automekanika dhe elektroteknika, deri te termohidraulika dhe teknologjia e informacionit. Çdo projekt i ekspozuar vjen si dëshmi konkrete e një arsimi që shkon përtej teorisë, duke u fokusuar tek praktika dhe zgjidhjet reale.
Drejtori i shkollës, Fatmir Mërkuri, theksoi se ky vit shënon një hap të rëndësishëm për institucionin, falë hapjes së një profili të ri në fushën e energjisë së rinovueshme. Sipas tij, ky zhvillim është në përputhje me kërkesat e kohës dhe orientimin drejt ekonomisë së gjelbër. “Nxënësit tanë dalin të përgatitur dhe të gatshëm për tregun e punës, që përbën një avantazh të dukshëm krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre” u shpreh ai.
Një nga nxënësit protagonistë në panair ishte edhe nxënësi i vitit të dytë në degën termohidraulike, Akil Kumeta. Ai prezantoi punën e tij me entuziazëm, duke nënvizuar se zgjedhja për të ndjekur arsimin profesional ka ardhur si rezultat i mundësive konkrete për punësim. “Synimi im është ta ushtroj profesionin në Shqipëri, pasi kërkesa për specialistë në këtë fushë është në rritje”, tha ai.

Investimet në infrastrukturë dhe laboratorë bashkëkohorë kanë krijuar kushte optimale për zhvillimin e aftësive profesionale. Shkolla ka dhe një konvikt për nxënësit nga rrethet.
Procesi i akreditimit i jep diplomave të nxënësve një vlerë të shtuar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Me katër drejtime dhe 14 programe të akredituara, “Beqir Çela” spikat si një nga institucionet e konsoliduara në këtë fushë.
Për më tepër, bashkëpunimet me partnerë ndërkombëtarë si German Agency for International Cooperation, si dhe përfshirja në projekte të rëndësishme si PROSEED apo Regional Challenge Fund, po e shndërrojnë shkollën në një qendër inovacioni dhe zhvillimi. Investimet në energjinë e rinovueshme dhe teknologjitë digjitale janë dëshmi e orientimit drejt profesioneve të së ardhmes.
Panairi nxjerr në pah rolin kyç që luan arsimi profesional për përgatitjen e të rinjve dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Vetëm investimi në dije praktike, teknologji dhe bashkëpunim i përgatit të rinjtë për tregun e punës dhe ndërtimin e së ardhmes.
©️zërionline


