Ka nisur zyrtarisht programi strategjik “EU4Municipalities II”, një nismë e Bashkimit Europian që synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Programi, me një fond prej 11 milionë eurosh dhe afat zbatimi deri në vitin 2029, do të mbështesë bashkitë përmes investimeve konkrete, asistencës teknike dhe digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.
Në ceremoninë e prezantimit, kryeministri Edi Rama u shpreh se integrimi europian është një mundësi e madhe për vendin, por njëkohësisht edhe një sfidë serioze, sidomos për pushtetin vendor.
“Bashkimi Europian dhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim për Shqipërinë, por nga ana tjetër janë edhe një sfidë e madhe, posaçërisht në nivelin vendor”, deklaroi Rama, duke theksuar se konsolidimi i qeverisjes vendore është i domosdoshëm për funksionimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve anëtare.
Kreu i qeverisë ndaloi veçanërisht te aftësia e bashkive për të përthithur fondet europiane, duke e konsideruar këtë një nga sfidat më të mëdha të administratës lokale. Sipas tij, programi “EU4Municipalities II” nuk duhet parë vetëm si një burim financimi, por si një instrument për rritjen e kapaciteteve dhe krijimin e eksperiencës institucionale.
“Nuk janë thjesht 11 milionë eurot, por mënyra se si është ndërtuar ky instrument, që duhet t’i bëjë bashkitë të angazhohen maksimalisht”, tha Rama.
Ai ngriti shqetësimin edhe për nivelin e ulët të digjitalizimit në pushtetin vendor, duke e cilësuar këtë si një nga hallkat më të dobëta të qeverisjes lokale në Shqipëri.
“Kemi një diferencë të papranueshme mes nivelit qendror dhe atij vendor sa i përket digjitalizimit”, u shpreh kryeministri, ndërsa u bëri thirrje kryetarëve të bashkive që ta shohin projektin si një mundësi për të fuqizuar kapitalin njerëzor dhe për të modernizuar administratën lokale.
Nga ana tjetër, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se programi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitete dhe në rritjen e kapaciteteve të bashkive.
“Këto investime që në dukje mund të jenë të vogla krijojnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në territor. Synimi është fuqizimi i bashkive përmes granteve, asistencës teknike dhe komponentit të digjitalizimit”, tha Demo.

Sipas tij, bashkitë janë aktorë kyç në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe projekti synon t’i përgatisë ato për standardet dhe sfidat që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian.
©️zërionline


