Zbardhet dinamika e konfliktit në Sarandë/ Të rinjtë nuk shkuan në lokal për viktimën, po për Rucin

Date:

Share post:

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, i ekzekutuar mbrëmjen e 7 majit në lokalin e tij në Qafë Gjashtë të Sarandës.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor dhe informacionit paraprak nga policia, dyshohet se Ismaili nuk ishte objektivi kryesor i grupit të të rinjve që mbërritën në biznesin e tij, por shënjestër ka qenë 50-vjeçari Tori Ruci, i njohur edhe si Viktor Ruci.

Mësohet se rreth gjashtë të rinj kanë shkuar në lokalin pranë kryqëzimit të rrugës Sarandë–Himarë pasi kishin informacion se aty ndodhej Ruci, me të cilin njëri prej tyre kishte konflikt për çështje pronësie lidhur me një lokal në zonën bregdetare.

Sipas hetimeve, sapo kanë mbërritur në verandën e lokalit, ku ndodheshin ulur Rexhep Ismaili, Tori Ruci dhe persona të tjerë të afërt me ta, ka nisur një debat i ashpër që më pas degradoi në përplasje fizike me sende të forta.

Burimet hetimore bëjnë me dije se objektivi kryesor i grupit ka qenë pikërisht Viktor Ruci, person me precedentë penalë, i cili ishte liruar nga burgu më 12 mars 2026 pas parashkrimit të një dënimi për “moskallëzim krimi”. Ai dyshohet dhe i përfshirë edhe në një grup trafiku droge të goditur në vitin 2018 në Sarandë.

Në kulmin e konfliktit, Rexhep Ismaili dyshohet se është futur në ambientet e brendshme të lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip kallashnikov, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit të të rinjve. Nga të shtënat raportohet se mbeti i plagosur një prej tyre.

Më pas ka pasur kundërpërgjigje me armë tip pistoletë nga pala tjetër dhe një plumb e ka goditur Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.
Pas krimit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia ka sekuestruar një automjet luksoz Audi Q8, që dyshohet se u përket personave të përfshirë në konflikt.

Deri tani janë shoqëruar disa persona, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e autorit të plumbit fatal dhe dokumentimin e rolit të secilit në përplasjen që përfundoi me vrasje.

Rexhep Ismaili ishte një emër i njohur në zonën e Sarandës. Përveç biznesit të karburantit dhe lokalit, ai dhe vëllai i tij kishin në pronësi edhe plazhin “Pema e Thatë” në Ksamil, ndërsa ai mbante dhe detyrën e kryetarit të Shoqatës “Çamëria”, dega Sarandë.
Policia vijon kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa hetimet janë fokusuar në dokumentimin e plotë të konfliktit dhe rolit të secilit person të përfshirë në ngjarjen e rëndë.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

E rëndë në Dibër/ Shtylla bie mbi elektricistin gjatë punës, 60-vjeçari ndërron jetë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Dibër, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë punës. Ngjarja ka ndodhur...

Nga dogana tek supermarketi: Rrugëtimi misterioz i çmimeve në Shqipëri!

Nga Irena Beqiraj Në Shqipëri, kur çmimet rriten, shpjegimi është pothuajse gjithmonë gati "fajin e ka importi". Lufta, krizat...

Vajza dyshohet se i vuri flakën babait 89-vjeçar në Burrel, çfarë po ndodh me familjen?

Një tjetër ngjarje tronditëse brenda familjes vjen nga Burreli, ku një 43-vjeçare dyshohet se ka lyer me benzinë...

Arrestohet Eduart Dushku, u kap i armatosur në Rrugën e Elbasanit

Eduart Dushku, 49 vjeç, i njohur si “i forti i Saukut”, ka përfunduar në prangat e Policisë së...