“Një firmë sot, një jetë nesër”/ Nis në Durrës mbledhja e firmave për ligjin që garanton kurimin e fëmijëve

Date:

Share post:

Pas nisjes së suksesshme në qytetin e Korçës, nisma ligjvënëse qytetare për mbështetjen shtetërore të fëmijëve me probleme shëndetësore ka mbërritur edhe në qytetin e Durrësit. Nën slloganin “Një firmë sot, shpëton një jetë nesër”, qytetarët durrsakë po ftohen t’i bashkohen një kauze që synon të kthejë mbrojtjen e jetës së fëmijëve nga një akt dëshire apo bamirësie, në një detyrim ligjor të paluajtshëm të shtetit.

Fundi i “Lutjeve” për bamirësi?

Deri më sot, shumë familje shqiptare janë detyruar t’u drejtohen rrjeteve sociale, emisioneve televizive apo nismave private për të mbledhur fonde për kurimin e fëmijëve të tyre jashtë vendit. Ky projektligj i ri synon t’i japë fund kësaj pasigurie.

Sipas avokatit Artion Beqiraj, që po drejton procesin në Durrës, kjo nismë ligjore synon të garantojë financimin e plotë nga shteti për trajtimet mjekësore të specializuara për të gjithë fëmijët e moshës 0-18 vjeç, në ato raste kur sistemi publik shëndetësor shqiptar nuk mund t’i ofrojë ato.

Çfarë parashikon konkretisht nisma?

Projektligji “Për mbështetjen shtetërore të trajtimeve mjekësore të fëmijëve, brenda ose jashtë vendit, kur ato nuk ofrohen nga sistemi shëndetësor publik kombëtar”, synon të krijojë një mekanizëm të qartë dhe të detyrueshëm për financimin e trajtimeve to specializuara.

Kjo nismë vjen si një nevojë për të rregulluar me ligj atë që Kushtetuta e parashikon si të drejtë: mbrojtjen e shëndetit. Pikat kyçe të këtij propozimi përfshijnë:

-Krijimin e një Fondi të veçantë: Një arkë e dedikuar buxhetore që nuk mund të preket për asnjë qëllim tjetër gjatë vitit.
-Vendimmarrje brenda 3 ditëve: Në situata urgjente ku jeta e fëmijës është në rrezik, procedurat do të jenë të përshpejtuara, duke shmangur burokracitë vdekjeprurëse.
-Transparencë e plotë: Raportim vjetor në Kuvend për çdo qindarkë të shpenzuar dhe krijimin e një Komisioni të Specializuar.
-Mekanizëm ankimi: Prindërit do të kenë të drejtën ligjore të ankimojnë vendimet në gjykatë nëse u mohohet trajtimi.

Thirrja për qytetarët e Durrësit dhe të gjithë vendit

Organizatorët e nismës qytetare theksojnë se kjo nuk është thjesht një procedurë ligjore, por një detyrim moral. “Nuk mund të lejojmë që jeta e një fëmije të varet nga statusi ekonomik i familjes apo suksesi i një fushate në Facebook”, shprehen nismëtarët.

Mbledhja e firmave në Durrës e qytete të ndryshme të vendit është hapi i radhës për ta dërguar këtë projektligj në dyert e Parlamentit, duke u dhënë zë qindra familjeve që sot përballen me ankthin e pasigurisë mjekësore.

Sipas Beqirajt, çdo qytetar që dëshiron të kontribuojë me firmën e tij, po ndihmon në ndërtimin e një sistemi ku shteti bëhet garant i jetës, duke siguruar që asnjë fëmijë të mos mbetet pa trajtim për shkak të mungesës së fondeve.

Bashkohu dhe ti për shëndetin e fëmijëve!

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...