Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi “Tryezën e Rinisë”, një takim ku u diskutuan çështje që lidhen me arsimin, punësimin dhe mbështetjen për të rinjtë në Shqipëri.
Kryetarja e forumit LRI, Anisa Ibraj tha se gjatë tryezës u prezantua programi i forumit për rininë, i cili përfshin mbështetje financiare për studentët e ekselencës, përgjysmim të tarifave të studimit dhe masa për uljen e kostove të jetesës studentore.

Programi parashikon gjithashtu mbështetje për banimin, transportin, ushqimin dhe mjetet mësimore, si dhe zgjerim të mundësive për praktika profesionale dhe internship-e për studentët në nivel Bachelor dhe Master.
Në fokus të propozimeve ishin edhe përmirësimi i aftësive digjitale të të rinjve, fuqizimi i arsimit profesional, investimet në laboratorë modernë për shkollat dhe universitetet, si dhe mbështetja për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Sipas prezantimit të bërë në tryezë, programi përfshin edhe masa për nxitjen e punësimit të të rinjve deri në 29 vjeç, mbështetje për sipërmarrjet e reja dhe krijimin e inkubatorëve për start-up-et.
Në përfundim të aktivitetit, përfaqësuesit e forumit theksuan rëndësinë e rritjes së mundësive dhe përfaqësimit për të rinjtë në vend.

©ZëriOnline


