Shoqëria “Riviera Kakome” sh.p.k. ka reaguar lidhur me ngjarjet e ndodhura një ditë më parë në zonën e Kakomesë, duke i cilësuar ato si sulm ndaj pronës së saj private dhe duke kundërshtuar akuzat për kufizim të aksesit në plazh.
Sipas kompanisë, disa dhjetëra persona kanë hyrë në territorin e saj, duke shkaktuar dëme në portën hyrëse, rrethimin, kabinën e rojeve dhe objekte të tjera brenda pronës. Në deklaratë thuhet se janë siguruar prova për incidentin dhe se do të ndiqen rrugët ligjore për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
“Riviera Kakome” mohon gjithashtu pretendimet se qytetarëve u është ndaluar hyrja në plazh. Kompania sqaron se kufizimi lidhet vetëm me truallin privat të rrethuar, për të cilin disponon leje ndërtimi, ndërsa rruga që të çon në bregdet ka mbetur e aksesueshme dhe plazhi është përdorur lirisht.
Në reagim trajtohet edhe çështja e pronësisë së tokave në Kakome. Kompania argumenton se pretendimet e ngritura nga banorë të Nivicës janë shqyrtuar më parë në gjykata dhe nuk janë pranuar, ndërsa thekson se sipërfaqja ku po zhvillohet projekti nuk përfshihet në pronat e kontestuara nga kundërshtarët e investimit.
Në fund të deklaratës, “Riviera Kakome” u kërkon institucioneve kompetente të hetojnë ngjarjen dhe të marrin masa ndaj autorëve të dëmtimeve, duke vlerësuar se cenimi i pronës private ndikon negativisht te siguria juridike, investimet dhe zhvillimi i turizmit në zonë.
©ZëriOnline


