Pacolli rikthen njerëzit në aeroport, përplasje dhe tensione

Date:

Share post:

Konflikti mes dy aksionerëve kryesorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, ka kaluar nga sallat e gjykatave në kantierin e ndërtimit, duke prodhuar skena tensioni dhe duke rrezikuar seriozisht fatin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Të hënën në mëngjes, punonjësit e kompanisë “Mabco Construction”, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, janë rikthyer në kantierin e aeroportit në Vlorë për të rifilluar punimet, vetëm pak orë pasi vetë Pacolli kishte njoftuar publikisht se kompania e tij do të rikthehej në objekt pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.

Por rikthimi nuk ka kaluar pa incidente. Sipas informacioneve nga vendngjarja, punonjësit e “Mabco”-s dhe nënkontraktorët e saj janë përballur me rojet e sigurisë të cilat kanë tentuar t’u ndalojnë hyrjen në territorin e aeroportit.

Situata është tensionuar shpejt. Në kushtet e përplasjes verbale dhe fizike, punonjësit e kompanisë së Pacollit kanë hyrë me forcë në kantier, duke dëmtuar portën hyrëse. Më pas konflikti është zhvendosur pranë zyrave administrative, ku ata janë përplasur me përfaqësues dhe punonjës të kompanisë “2A Group”, të drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Një ditë më parë, Behgjet Pacolli kishte njoftuar se rreth 200 punonjës të kompanisë së tij do të riktheheshin në kantier për të vijuar punimet e ndërprera.

Në reagimin e tij publik, Pacolli argumentoi se rikthimi bazohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila së fundmi i dha të drejtë “Mabco Construction” në mosmarrëveshjen për administrimin e projektit.

“Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim”, deklaroi ai.

Sipas biznesmenit, “Mabco” ka investuar rreth 310 milionë euro në projekt dhe mbetet e angazhuar për përfundimin e veprës. Ai insistoi se çdo veprim i kompanisë është në përputhje me ligjin dhe me vendimet e organeve gjyqësore.

Në një reagim të mëvonshëm, Pacolli deklaroi se asnjë vendim gjyqësor nuk ndalon hyrjen e “Mabco”-s dhe nënkontraktorëve të saj në kantier. Ai gjithashtu hodhi poshtë deklaratat e bëra nga Bujar Ejupi, duke pretenduar se ai nuk përfaqëson më interesat e shoqërisë VIA.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 22-vjeçari; shpallet në kërkim autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një i ri ka mbetur i plagosur...

Bizneset kundër Paketës Fiskale 2027 të qeverisë: “Goditen investimet dhe punësimi”

Rritja e tatimit mbi fitimin në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së...

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të...