Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin penitenciar shqiptar. Dy punonjës të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, ose burgu 313 në Tiranë kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri-tjetri, pasi pësuan gjendje të rënda shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës.
Viktimat janë Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave me gradën Kryeinspektor.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, Muhametaj u ndje keq gjatë instruktazhit të ndërrimit të shërbimit. Ai mori ndihmën e parë nga kolegët dhe personeli shëndetësor i institucionit, për t’u transportuar më pas me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, ku ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Vetëm pak orë më vonë, rreth mesnatës, edhe Pëllumb Vrana pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë shërbimit. Pas ndihmës së parë në institucion, ai u dërgua me urgjencë në QSUT, por rreth orës 01:00 u konfirmua humbja e jetës së tij.
Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 dhe shërbente në IEVP “Jordan Misja” që nga viti 2023, ndërsa Vrana vlerësohej nga kolegët për kontributin e tij në sigurinë dhe funksionimin e institucionit.
Ngjarja vjen në një kohë kur sistemi penitenciar shqiptar është vënë shpesh në qendër të vëmendjes për numrin e lartë të vdekjeve të raportuara muajt e fundit. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar pesë raste të vdekjes së të burgosurve, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari 2020 deri në mars 2026 kanë humbur jetën 139 persona në institucionet e vuajtjes së dënimit, shumica dërrmuese për shkaqe shëndetësore.
Edhe pse rastet e fundit kanë të bëjnë me punonjës të burgjeve dhe jo me të burgosur, fakti që dy efektivë humbin jetën brenda një nate gjatë orarit të punës ngre sërish pikëpyetje mbi kushtet e punës, ngarkesën, kontrollet shëndetësore dhe situatën e përgjithshme në institucionet penitenciare shqiptare.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy punonjësve, duke i cilësuar ata si profesionistë të përkushtuar, ndërsa thekson se kontributi i tyre do të mbetet pjesë e historisë së institucionit.
©ZëriOnline


