Një aksident ka ndodhur në rrugën “Vala e Detit”, në zonën e ish-Kënetës, ku një motor me dy persona ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin kryesor. Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa personi tjetër ka mbetur i lënduar.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se aksidenti është favorizuar nga mungesa e ndriçimit publik dhe e sinjalistikës rrugore, probleme që prej vitesh shqetësojnë banorët e kësaj zone.
Rruga “Vala e Detit”, si edhe rruga “Azem Hajdari”, vijojnë të jenë ndër segmentet më problematike të ish-Kënetës. Mungesa e ndriçimit, sinjalistika e pamjaftueshme, pusetat e hapura dhe trotuaret e amortizuara e kanë kthyer këtë zonë në një pikë me rrezik të lartë për qarkullimin.
Banorët thonë se nuk është hera e parë që automjete apo motorë përfundojnë në kanalin e ujërave të zeza, ndërsa aksidentet janë bërë të shpeshta, sidomos gjatë mbrëmjes dhe natës. Sipas tyre, fluksi i madh i mjeteve që qarkullojnë çdo ditë e bën edhe më urgjente ndërhyrjen e institucioneve.
Ngjarja e fundit rikthen në vëmendje nevojën për investime të menjëhershme në këtë zonë, përmes vendosjes së ndriçimit publik, sinjalistikës rrugore dhe rehabilitimit të infrastrukturës, në mënyrë që të shmangen aksidente të tjera me pasoja për jetën e qytetarëve.
©ZëriOnline


