Po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, dhe 14 të pandehurve të tjerë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Kolonjë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, ndërsa çështja lidhet me një hetim të zhvilluar për 3 procedura prokurimi gjatë vitit 2020, me një vlerë totale që tejkalon 30 milionë euro.
Gjatë seancës paraprake, GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për kalimin e çështjes për gjykim. Gjykata do të vendosë nëse dosja do të dërgohet për shqyrtim gjyqësor, do të kthehet për plotësim të hetimeve apo nëse çështja do të pushohet.
Mes 15 të pandehurve janë kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë Kolonjë Eljona Mydini, si dhe disa punonjës të këtij institucioni. Gjithashtu, nën akuzë janë edhe ish-drejtues të ARRSH-së, përfshirë ish-kreun e këtij institucioni Ergys Verdho, ish-drejtorin Erald Elezi, si dhe specialistë dhe përgjegjës sektorësh në këtë autoritet.
Hetimi i SPAK është fokusuar te procedurat e prokurimit të zhvilluara në vitin 2020, për të cilat prokuroria dyshon se mund të jenë shoqëruar me shkelje ligjore gjatë zhvillimit dhe administrimit të tyre.
©ZëriOnline


