Bashkia Durrës ka hapur thirrjen publike për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Vendor të Rinisë, duke u dhënë mundësinë të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç të marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrjen lokale dhe në hartimin e politikave që lidhen me jetën e tyre.
Të gjithë të rinjtë që banojnë, studiojnë ose ushtrojnë aktivitet në territorin e Bashkisë Durrës mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi këshillimor, i cili synon të përfaqësojë interesat dhe shqetësimet e brezit të ri pranë pushtetit vendor.
Për një të ri apo të re, anëtarësimi në Këshillin Vendor të Rinisë përfaqëson më shumë se një angazhim vullnetar. Ai ofron mundësinë për të ndikuar në vendimet që prekin arsimin, punësimin, kulturën, sportin, mjedisin dhe jetën sociale në qytet, ndërsa njëkohësisht shërben si një përvojë e vlefshme në zhvillimin e aftësive drejtuese, komunikimit, punës në grup dhe përfaqësimit qytetar.
Pjesëmarrja në Këshill u jep të rinjve mundësinë të bashkëpunojnë me institucionet vendore, të propozojnë iniciativa konkrete dhe të kontribuojnë në krijimin e politikave që reflektojnë nevojat reale të komunitetit rinor. Një përvojë e tillë konsiderohet gjithashtu një vlerë e shtuar për formimin profesional dhe angazhimin qytetar të secilit pjesëmarrës.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 31 gusht 2026, ndërsa aplikimet duhet të dërgohen në adresën elektronike: info@durres.gov.al
Kandidatët mund të konsultojnë në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës kriteret e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe formularin përkatës.
Përmes kësaj thirrjeje synohet përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe krijimi i një platforme ku idetë dhe nismat e tyre të kenë ndikim konkret në zhvillimin e qytetit.
Për këtë duhen zëra të fortë, jo konformistë. Ji dhe ti një prej tyre!


