Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të bashkisë së Belshit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët dhe autoritetet vendore.
Zjarri ka nisur rreth orës 16:00 në zonën mes fshatrave Seferan dhe Merhojë. Temperaturat e larta dhe era e fortë kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, të cilat kanë përfshirë sipërfaqe me ullinj, shkurre, bimësi dhe parcela bujqësore.
Nga zjarri janë dëmtuar disa parcela me ullinj, ndërsa flakët vijojnë të përhapen duke rrezikuar edhe banesa që ndodhen pranë zonës së përfshirë.
Në terren janë angazhuar forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Belsh, strukturat e Emergjencave Civile, punonjës të bashkisë dhe ekipe të tjera ndihmëse. Ndërhyrja po vijon për izolimin e zjarrit dhe për të parandaluar afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Puna e zjarrfikësve po vështirësohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë, e cila ndryshon vazhdimisht drejtimin e flakëve.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa prioritet i autoriteteve mbetet mbrojtja e banorëve dhe pronave të tyre, si dhe vënia nën kontroll e situatës.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar. Pas shuarjes së plotë të flakëve, grupet hetimore pritet të kryejnë verifikimet në terren për të zbardhur rrethanat dhe origjinën e zjarrit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së përfshirë nga zjarri dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente për çdo vatër të re.


