Prej 6 ditësh në flakë, zjarri në Librazhd ende jashtë kontrollit

Date:

Share post:

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv prej gjashtë ditësh në zonën pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të forcave në terren, flakët nuk janë neutralizuar ende, pasi kushtet atmosferike dhe terreni malor e bëjnë të vështirë ndërhyrjen.

Në operacion janë përfshirë efektivët e shërbimit zjarrfikës të Librazhdit, të mbështetur nga strukturat e Emergjencave Civile, të cilët po punojnë për të izoluar vatrat aktive dhe për të parandaluar zgjerimin e zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera pyjore. Era e fortë, temperaturat e larta dhe prania e bimësisë së tharë kanë favorizuar përhapjen e flakëve në një territor të gjerë.

Për shkak të terrenit të thyer, automjetet zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë në të gjitha zonat e prekura, ndaj pjesa më e madhe e ndërhyrjes po kryhet në këmbë. Ekipet po punojnë në disa fronte njëkohësisht, me synimin për të kufizuar përhapjen e zjarrit.

Deri në këto momente nuk raportohen të lënduar dhe as banesa të rrezikuara, pasi vatrat ndodhen larg zonave të banuara. Megjithatë, autoritetet vijojnë të mbajnë situatën nën monitorim të vazhdueshëm.

Zjarri ka përfshirë një zonë me vlera të rëndësishme natyrore, ndaj pritet të shkaktojë dëme të konsiderueshme në fondin pyjor. Sipas banorëve të zonës, në sipërfaqen ku po digjet pylli ndodhej një sasi e madhe druri të tharë, e mbetur nga prerjet e paligjshme të viteve të kaluara, çka mund të ketë ndikuar në intensitetin e flakëve. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përgjegjëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kishte paralajmëruar më herët se Qarku i Elbasanit ishte ndër zonat me rrezik shumë të lartë për zjarre, për shkak të valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...