Policia e Shtetit ka reaguar pas alarmit të ngritur mbrëmjen e së dielës për të shtëna të dyshuara me armë zjarri nga një jaht në det, përballë zonës së Palasës.
Sipas uniformave blu, menjëherë pas marrjes së njoftimit rreth orës 21:00, u organizua një operacion i gjerë nga Policia Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, si edhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë. Jahti u vu në ndjekje nga deti dhe toka, pasi po lëvizte në drejtim të Himarës, dhe u ndalua pak më vonë në det, përballë qytetit.
Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u shoqëruan në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave që ndodheshin në bord nuk u gjet asnjë armë apo send tjetër i kundërligjshëm.
Policia bën me dije se grupi hetimor ka marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe po kryen veprimet e nevojshme ekspertuese për të verifikuar informacionin e marrë për të shtënat e dyshuara.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht se kujt i përket jahti i ndaluar, duke mos dhënë asnjë informacion mbi pronësinë apo regjistrimin e mjetit lundrues.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
©ZëriOnline


