Sherri mes kompanive të Pacollit dhe Ademit për Aeroportin e Vlorës, Qeveria nis procedurën për anulimin e kontratës

Date:

Share post:

Pas skadimit të të gjitha afateve kontraktuale dhe thellimit të konfliktit mes “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit, Ministria e Infrastrukturës ka nisur procedurat për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit.

Projekti që u prezantua si porta ajrore e jugut të Shqipërisë po shkon drejt një përmbysjeje të plotë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi kompania koncesionare nuk arriti të përfundojë punimet as brenda afateve të parashikuara në kontratë.

Sipas kontratës, punimet duhej të përfundonin në shkurt 2026. Kontrata parashikonte edhe një periudhë shtesë prej 90 ditësh për dorëzimin e objektit. Edhe ky afat kaloi pa rezultat, ndërsa aeroporti mbeti jashtë funksionit.

Në këtë situatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, u kishte vendosur një ultimatum palëve për të zgjidhur konfliktin që kishte bllokuar projektin. Megjithatë, përplasja mes ortakëve jo vetëm që nuk u zgjidh, por u thellua, duke detyruar ministrinë të aktivizojë procedurat për zgjidhjen e parakohshme të kontratës, një mekanizëm i parashikuar në pikën D të marrëveshjes koncesionare. Gjithashtu mësohet se ndaj kompanive koncesionare janë vendosur edhe gjoba për mosrespektimin e afateve të ndërtimit.

Synimi është që administrimin e Aeroportit të Vlorës ta marrë në dorë vetë shteti, por kjo rrugë ka procedura të gjata ligjore për t’u realizuar. Shto këtu faktin se Pacolli disa javë më parë ka njoftuar nisjen e procedurave për arbitrazh ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar, duke akuzuar institucionet për mosveprim në zhbllokimin e kantierit të Aeroportit të Vlorës.

Në themel të bllokimit të Aeroportit të Vlorës qëndron konflikti mes dy ortakëve të koncesionit, kompanisë zvicerane “Mabco Constructions” të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe kompanisë shqiptare “2A Group” të Valon Ademit. Mabco pretendon se, ndonëse zotëron 98% të aksioneve të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”, është përjashtuar nga drejtimi i projektit përmes vendimeve të përkohshme gjyqësore, ndërsa “2A Group”, me 2% të aksioneve, ka marrë kontrollin operacional.

Sipas Mabco, kjo përplasje ka bllokuar punimet dhe procesin e certifikimit të aeroportit. Kompania zvicerane deklaron se përfaqësuesve të saj u është mohuar hyrja në kantier, ndërsa DAA International nuk ka mundur të kryejë procedurat e certifikimit. Mabco ka nisur edhe një procedurë mosmarrëveshjeje ndaj shtetit shqiptar në bazë të traktatit për mbrojtjen e investimeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

spot_img

Artikuj të lidhur

Grabitet me armë argjendaria në Paskuqan, dy autorët largohen me motor

Një argjendari në zonën e Paskuqanit është grabitur pasditen e sotme, ku dy persona të paidentifikuar kanë marrë...

Zjarri në Selenicë, flakët shkrumbojnë dhjetëra makina në një pikë grumbullimi automjetesh

Një zjarr i rënë rreth mesditës së së mërkurës në fshatin Penkovë, pjesë e Bashkisë së Selenicës, përfshiu...

Zjarri në Mallakastër/ Flakët rrezikojnë masivin pyjor të Lofkëndit! Avioni ‘Air Tractor’ bën testin e parë

Në operacion është angazhuar një avion zjarrfikës "Air Tractor" nga Spanja. Avionin e ka sjellë kompania me të...

Zgjerimi i mbikalimit të Rinasit, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës; datat dhe oraret

ARRSH ka bërë të ditur se nga ora 00:00 deri në 04:30 do të kryhet vendosja e trarëve...