Një konflikt i nisur, sipas policisë, mes rojeve të sigurisë së lokalit “Orange” dhe disa personave në Sarandë ka përfunduar me goditjen e Shefit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të mëngjesit të 16 gushtit, në rrugën “Butrinti”. Sipas Policisë, rojet e sigurisë po konfliktoheshin fizikisht me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.
Në atë moment, sipas policisë, nënkomisari Mateo Bakalli, Shef i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, po kalonte me automjetin e tij. Ai ndaloi, u prezantua si punonjës policie dhe tentoi të ndërhynte për të ndalur konfliktin.
Por situata u përshkallëzua. Rojet e sigurisë nisën ta godisnin edhe efektivin, i cili reagoi në vetëmbrojtje dhe arriti të njoftojë shërbimet e Policisë.
Rreth një minutë më vonë, në vendngjarje mbërritën forcat “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat neutralizuan konfliktin dhe shoqëruan personat e përfshirë.
Kontrollet vijuan edhe në fshatin Gjashtë, ku u lokalizuan dhe u shoqëruan pjesëtarë të tjerë të rojeve të lokalit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, policia arrestoi 6 persona: administratorin e lokalit “Orange”, Marjo Katiraj, 35 vjeç, Elgent Ndoj, 38 vjeç,
Faik Hoxha, 35 vjeç, Indrit Çullhaj, 34 vjeç, Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe Besnik Sulollari, 29 vjeç, me profesion taksist.
Ndërkohë, Pjetër Doçi, 28 vjeç, roje sigurie në të njëjtin lokal, është shpallur në kërkim.
Por ngjarja ka sjellë edhe masa ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të tyre dhe nisjen e hetimit disiplinor.
Bëhet fjalë për inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s, të cilët dyshohet se punonin pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti.
Sipas Policisë, dy efektivët, ndonëse jashtë detyre, nuk kanë njoftuar kolegët për konfliktin dhe nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e tij.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë vijojnë për të dokumentuar të plotë ngjarjen dhe për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat e përfshirë.
©ZëriOnline


