Pas 8 vitesh në arrati, është arrestuar në Rumani, Aurel Hoxhallari, i dyshur si organizator i atetatit ku u vra Devi Kasmi.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Vrasje me paramendim”, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai u shpall në kërkim dhe pas 8 vitesh është lokalizuar në Rumani, ku është ndaluar nga policia vendase, teksa pritet më pas dhe ekstradimi.
“Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.
Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve“, njofton policia.
Devi Kasmi u vra me armë zjarri më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Sipas hetimeve, Hoxhallari dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me një shtetas grek të quajtur Eftimius Eftimiu dhe persona të tjerë.
Në kohën kur Policia goditi grupin e dyshuar për vrasjen, autoritetet e cilësuan Hoxhallarin si një prej personave me rol drejtues. Sipas versionit të bërë publik atëherë nga Policia, shtetasi grek dyshohej si ekzekutori me pagesë i Kasmit, ndërsa anëtarë të tjerë kishin role në sigurimin e mjeteve dhe infrastrukturës së nevojshme për realizimin e vrasjes.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve u sekuestruan nëntë armë zjarri, rreth 130 kilogramë kanabis dhe një numër i madh bimësh narkotike.
©ZëriOnline


