Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në banesën e Ylli Zallës në fshatin Zall, Fushë-Krujë, person i shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit 2025, pas atetatit të Rinasit.
Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse ishte vendosur pranë derës së banesës dhe më pas ka shpërthyer. Flakët kanë përfshirë edhe automjetin e Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës dhe është djegur plotësisht. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Policia ka nisur veprimet për të përcaktuar sasinë dhe llojin e lëndës plasëse, si dhe për të identifikuar personin apo personat që e vendosën atë.
“Gjatë natës, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, në derën e banesës së shtetasit Y. Z., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, si dhe ka marrë flakë dhe është djegur automjeti në pronësi të këtij shtetasi, i cili ishte i parkuar pranë banesës. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit“, thuhet në njoftimin e policisë.
©ZëriOnline


