Nga Brindisi drejt Sazanit, Protesta vjen dhe nga jashtë kufijve të Shqipërisë

Date:

Share post:

Protesta kundër projekteve të turizmit të luksit në bregdetin shqiptar po merr një dimension të ri, këtë herë edhe përtej Adriatikut. Më 20 gusht, tre mjete lundruese pritet të nisen nga Brindisi drejt Shqipërisë, në një aksion solidariteti me “Revolucionin e flamingove”, lëvizja që prej muajsh kundërshton projektet turistike në zona të mbrojtura të bregdetit shqiptar.

Nisma është organizuar nga kolektivet italo-shqiptare “Mesdhe” dhe “Palestina e lirë”, në bashkëpunim me Global Sumud Flotilla Italy. Sipas organizatorëve, tre varkat nga Brindisi do të nisen drejt Shqipërisë, duke e kthyer Adriatikun në një hapësirë simbolike lidhëse mes dy brigjeve dhe dy lëvizjeve që kundërshtojnë transformimin e territoreve bregdetare në destinacione ekskluzive.

Në Brindisi është parashikuar një konferencë me pjesëmarrjen e organizatave që mbështesin nismën, ndërsa në mbrëmje do të zhvillohen aktivitete publike në lungomare. Në mesnatë, organizatorët parashikojnë përcjelljen e mjeteve lundruese drejt Shqipërisë.

Sipas informacioneve nga përtej Adriatikut, në qendër të protestës është ishulli i Sazanit, ish-bazë ushtarake dhe një nga zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar. Projekti për transformimin e ishullit në një resort luksoz lidhet me kompaninë e investimeve Affinity Partners të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Investimi i planifikuar për Sazanin vlerësohet rreth 1.4 miliardë dollarë.

Kundërshtarët e projektit ngrenë shqetësime për ndikimin që zhvillimi turistik mund të ketë mbi një territor me rëndësi natyrore dhe historike. Sazani, i cili për dekada ka qenë zonë ushtarake dhe i kufizuar për publikun, është tashmë në qendër të një debati të gjerë mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet bregdeti shqiptar.

Por protesta nuk kufizohet vetëm te Sazani.

Lëvizja “revolucioni i flamingove” u shndërrua në një nga protestat më të mëdha të këtij viti në Shqipëri pas kundërshtimeve ndaj projekteve turistike në zonën e Zvërnecit dhe ligatinave të Vjosë-Nartës. Flamingoja rozë është kthyer në simbolin e protestës, për shkak të rëndësisë së zonës për shpendët migratorë dhe biodiversitetin.

Në javët e para të protestave, mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës, ndërsa lëvizja mori gradualisht një karakter më të gjerë politik dhe ambientalist. Protestuesit kanë përdorur parullën “Shqipëria nuk është në shitje”, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë si privatizim dhe komercializim të territoreve bregdetare.

Edhe nga Italia, organizatorët e nismës së 20 gushtit e shohin protestën si pjesë të një beteje më të gjerë për mbrojtjen e territoreve në të dyja anët e Adriatikut. Përmes rrugës Brindisi-Vlorë, ata synojnë të lidhin simbolikisht dy brigje që prej dekadash kanë një histori të përbashkët migrimi, por që sot përballen me një tjetër debat: kush ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e territoreve bregdetare.

Kështu, 35 vjet pas kohës kur Adriatiku përshkohej nga shqiptarët drejt brigjeve italiane në kërkim të një jete më të mirë, këtë herë lëvizja bëhet në drejtim të kundërt. Tre varka nga Brindisi drejt Shqipërisë, jo si udhëtim turistik, por si një aksion simbolik në mbështetje të protestës për Sazanin dhe bregdetin shqiptar./ Përshtatur nga Green Me

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Turqi/Arrestohet drejtuesi i Bursës së Stambollit, për transaksione të dyshimta

Një zhvillim i ri ka tronditur sektorin financiar në Turqi. Korkmaz Enes Ergun, drejtori i përgjithshëm i Bursës...

Tmerr në Malësinë e Madhe/ Gjermani sulmon me thikë dy policë pasi tentoi të digjte një makinë me benzinë

Një incident i pazakontë dhe me përmasa të rrezikshme ka alarmuar pasditen e sotme autoritetet e Shkodrës dhe...

Dogana gjermane bllokon pakon drejt Shqipërisë, qeni nuhatës zbulon 32 lëkura pitoni të kontrabanduara

Një dërgesë e nisur nga Indonezia dhe me destinacion Shqipërinë është sekuestruar në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani, pasi...

Aksident në Lezhë, ‘Benzi’ del nga rruga dhe përmbyset pas përplasjes me disa objekte

Një aksident i frikshëm ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Manati, pranë lagjes Gurra në Lezhë. Sipas raportimve një automjet...