Dy shtetas shqiptarë, një burrë dhe një grua, janë gjetur të vdekur mëngjesin e kësaj të diele në hyrje të një pallati në Nea Smyrni të Athinës, në Greqi. Të dy dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas mediave greke, hetimet e para të Departamentit të Vrasjeve kanë çuar në dyshimin se bëhet fjalë për një krim pasioni, i cili përfundoi me vetëvrasjen e autorit.
Pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit kanë qenë një nga provat kryesore për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake, burri dyshohet se i kishte zënë pritë gruas rreth 45 vjeç, e cila kishte mbërritur në hyrje të pallatit.
Ai dyshohet se e ka qëlluar me armë, pasi ka debatuar fillimisht me të, duke e lënë të vdekur, dhe më pas ka kthyer armën ndaj vetes. Në vendngjarje janë dëgjuar disa të shtëna, ndërsa pranë trupave është gjetur edhe arma.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Zougla”, viktimat mendohet të jenë të moshës 35 deri në 45 vjeç dhe me origjinë shqiptare. Identifikimi zyrtar ende nuk ka përfunduar.
Gruaja nuk ishte banore e pallatit, por dyshohet se kishte shkuar për të takuar vajzën e saj, e cila jeton në atë ndërtesë.
Marrëdhënia mes dy viktimave mbetet ende objekt hetimi, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë motivin dhe historinë e tyre. Provat filmike, arma e sekuestruar, analizat balistike dhe rezultatet e mjekësisë ligjore pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të tragjedisë.
©ZëriOnline


