Pas përfundimit të mandatit diplomatik në Shqipëri, ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, është larguar në fundjavë nga vendi përmes portit të Durrësit. Në ditën e largimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka ndarë mesazhin e tij të lamtumirës, ku diplomati italian sjell në vëmendje tre vitet e qëndrimit në vendin tonë dhe takimet me shqiptarët në të gjithë vendin.

Gonzato e nis mesazhin duke kujtuar mbërritjen në Shqipëri përmes Hanit të Hotit, ndërsa tre vite më pas thotë se largohet me kujtime të shumta nga njerëzit që ka takuar gjatë udhëtimeve nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.
Ambasadori vlerëson energjinë dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të ardhmen evropiane, por nuk i anashkalon as vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet vendi. Në mesazhin e tij, ai thekson rëndësinë e institucioneve të forta e të pavarura, mbrojtjes së të drejtave dhe një shoqërie ku askush nuk lihet pas dhe diversiteti respektohet.

Duke iu referuar punës së tij dhe ekipit të Delegacionit të BE-së, Gonzato thotë se kanë punuar për t’iu përgjigjur aspiratës së shqiptarëve “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës” dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Por pjesa më e veçantë e mesazhit vjen në fund, pikërisht nga Durrësi, nga ku u largua të shtunën. “Do të kthehem”, shkruan Gonzato, duke shtuar se një ditë nuk do të ketë më nevojë të tregojë pasaportën për të ardhur në Shqipëri.
“Deri atëherë, Mirupafshim, Shqipëri”, e përmbyll ambasadori mesazhin e tij, shoqëruar me flamurin shqiptar.
©ZëriOnline


