Islanda i thotë “Jo” BE-së/ Referendumi rrëzon rifillimin e negociatave

Date:

Share post:

Ndërsa Shqipëria vijon negociatat dhe synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, Islanda ka zgjedhur të mos rikthehet në tryezën e negociatave me Brukselin.

Në referendumin e zhvilluar më 29 gusht, islandezët votuan kundër rifillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas rezultateve të raportuara nga autoritetet dhe transmetuesi publik islandez RÚV, 52,8% votuan “Jo”, ndërsa 47,2% votuan “Po”.

Por votimi nuk ishte një referendum për anëtarësimin e Islandës në BE. Pyetja ishte nëse vendi duhej të rifillonte negociatat me Brukselin. Një përgjigje pozitive do t’i rikthente negociatat, ndërsa vetëm pas përfundimit të tyre islandezët do të mund të votonin në një referendum të dytë nëse do të pranonin ose jo anëtarësimin. Referendumi i 29 gushtit ishte këshillues, sqaron ZO.

Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, në kulmin e krizës financiare që goditi rëndë ekonominë dhe sistemin bankar të vendit. Negociatat nisën më pas dhe u zhvilluan gjatë viteve 2010-2013, përpara se të pezulloheshin pas ndryshimit të qeverisë. Aplikimi për anëtarësim, megjithatë, nuk ishte tërhequr formalisht.

Debati në Islandë është i lidhur ngushtë me një prej çështjeve më të ndjeshme për vendin: kontrollin mbi burimet natyrore dhe, veçanërisht, industrinë e peshkimit. Kundërshtarët e rifillimit të negociatave argumentuan se anëtarësimi mund t’i kufizonte kompetencat e Islandës mbi ujërat dhe burimet e saj, ndërsa mbështetësit e shihnin procesin si një mundësi për të negociuar kushtet e anëtarësimit dhe për të fituar më shumë ndikim në vendimmarrjen evropiane.

Edhe pse tha “jo” për rikthimin në negociata, Islanda mbetet shumë e lidhur me Bashkimin Evropian. Vendi është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e zonës Schengen, ndërsa përmes këtyre marrëveshjeve është i integruar ngushtë me tregun e përbashkët evropian dhe me lëvizjen e lirë.

Për Islandën, megjithatë, integrimi ekonomik nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bindur shumicën për të ndërmarrë hapin drejt anëtarësimit të plotë. Çështjet e sovranitetit, peshkimit, kontrollit mbi burimet natyrore dhe politikave ekonomike mbeten në qendër të debatit.

Rezultati është një tjetër shembull i rrugëve të ndryshme që ndjekin vendet evropiane ndaj BE-së. Ndërsa Shqipëria e sheh anëtarësimin si një objektiv strategjik dhe vijon procesin e negociatave me Brukselin, Islanda, një vend që tashmë gëzon një nivel të lartë integrimi me tregun evropian, ka vendosur të mos e çojë më tej procesin drejt anëtarësimit.

ZO

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Skulpturat mbi bar dhe parkimi me 3 kate nëntokë, çfarë ndodh me Mauzoleun e Dëshmorëve në Durrës?

Skulptura në gur dhe allçi të vendosura mbi bar, disa prej tyre të mbuluara me qese plastike për...

Vrasja e Arlinda Zekajt, jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një kohë kur...

Nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë ryshfet, tre shoferë kapen mat në Durrës

Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës, pasi tentuan të korruptonin efektivët e Policisë Rrugore për t’i...

Maqedonia e Veriut/Arrestohet pronari i ‘Sante Plus’ Bilal Kara, në kërkim dhe nga Shqipëria

Bilal Kara, pronari i spitalit privat “Sante Plus”, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut në kuadër të një...