Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë ku një shtetase rreth 37-vjeç shtatzënë ka humbur jetën, së bashku me fëmijën 7-muajsh në bark.
37 vjeçarja ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas konsultave dhe ekzaminimeve, mjekët kanë vendosur që ajo të transportohej drejt Tiranës, për të marrë trajtim më të specializuar.
Gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, gjendja e 37-vjeçares është rënduar. Sipas të dhënave paraprake, ajo kishte shfaqur të vjella dhe dyshohet se mund të ketë pasur një hemorragji të brendshme.
Nëna 37-vjeçare kishte shtatzëninë e parë dhe ishte rreth 28-29 javëshe.
Sipas të dhënave nga spitali, ajo ka shkuar në spital rreth orës 01:00 të mëngjesit, pasi kishte pasur dhimbje barku, të cilat i kishte duruar në kushte shtëpie për 24 orë.
Pas mbërritjes në maternitet, është konstatuar se kishte gjak në bark dhe është reanimuar deri në stabilizimin e gjendjes, për t’u nisur drejt Tiranës, por rrugës gjendja është përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë.
Shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes pritet të zbardhen pas kryerjes së veprimeve procedurale dhe autopsisë mjeko-ligjore.
©ZëriOnline


