Kosova ka marrë zyrtarisht flamurin e Lojërave Mesdhetare, duke nisur rrugëtimin drejt Prishtinës 2030. Ceremonia u zhvillua në mbyllje të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, në Itali.
Në një moment simbolik dhe historik për Kosovën, flamuri i Lojërave Mesdhetare iu dorëzua kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke shënuar kështu kalimin zyrtar të organizimit te mikpritësi i ardhshëm, Prishtina 2030.

Përpara më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium, flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe flamurit të Lojërave Mesdhetare. Flamuri kosovar u dorëzua nga basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ceremonia e ngritjes së flamurit u shoqërua me himnin shtetëror të Kosovës.


Në ceremoninë mbyllëse u prezantua edhe videoja promovuese e Prishtina 2030, përmes së cilës Kosova prezantoi para publikut mesdhetar qytetin që do të presë edicionin e ardhshëm të Lojërave.
Flamurin e Kosovës gjatë ceremonisë e mbajtën dy flamurmbajtësit, karateisti Islam Selmani dhe Fortesa Orana.

Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës, me presidentin Ismet Krasniqi.
Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, vëmendja tashmë zhvendoset te Prishtina 2030, e cila do të jetë pritëse e edicionit të ardhshëm.
Në Taranto 2026, Kosova mori 9 medalje, prej tyre dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Pas katër medaljeve në Tarragona 2018, gjashtë në Oran 2022, në Taranto 2026 u thye rekordi me nëntë medalje.

Medaljet e arta u fituan nga boksierja Donjeta Sadiku e karateisti Islam Selmani, të argjendtat nga xhudistja Laura Fazliu e peshëngritësi Kianoush Rostami (2), dhe të bronztat nga katër xhudistët: Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi e Flaka Loxha.
Kosova kishte pritshmëri edhe në taekwondo, atletikë dhe sportet ekipore si futbolli, basketbolli 3X3, hendbolli e volejbolli (m).
“Grazie, Taranto 2026! Shihemi në Prishtina 2030!”, kështu e mbyll njoftimin KOK duke besuar se rruga drejt më shumë medaljeve këtë herë do të kalojë nga shtëpia.

©ZëriOnline


