Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Mësohet se është hapur zjarr ndaj një automjeti në zonën e Komunës së Parisit.
Viktima është identifikuar si 46-vjeçari Ismet Habili, ndërsa sipas policisë, dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri.
Paraprakisht, raportohet se 46-vjeçari është qëlluar me plumb në kokë teksa ndodhej brenda automjetit. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Sipas njoftimit zyrtar, policia është sinjalizuar rreth orës 20:20 për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët kanë konstatuar trupin e pajetë të 46-vjeçarit brenda një automjeti tip “Volvo”.
Ende nuk ka të dhëna për autorët e mundshëm apo motivet e krimit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

©ZëriOnline


