Sindikatat e universiteteve publike i bashkohen protestës së studentëve dhe nxënësve në vend, duke shpallur bojkotin e mësimdhënies nga 21 tetori deri në një njoftim të dytë.
Vendimi është marrë nga Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë, më 20 tetor. Përmes këtij vendimi, pedagogët shprehin solidaritet me studentët dhe nxënësit, ndërsa kërkojnë respektimin e së drejtës për protestë paqësore.
Në njoftimin zyrtar, sindikata thekson se protestat e studentëve prej muajsh lidhen me kërkesat për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie. Sipas saj, përgjigjja ndaj këtyre kërkesave nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe përdorimi i dhunës.
Pedagogët deklarojnë se situata e krijuar e bën të pamundur vijimin normal të mësimit, ndërsa shprehin shqetësimin edhe për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Përveç ndalimit të menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, sindikata kërkon hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që kanë urdhëruar apo ushtruar dhunë. Një tjetër kërkesë është trajtimi i ligjshëm dhe dinjitoz i studentëve të shoqëruar nga policia, si dhe plotësimi i kërkesave të studentëve dhe nxënësve.
Sindikata u bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve që marrin pjesë në protestë.
Ndërkohë, pedagogët njoftojnë se do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para godinës së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, në mbështetje të studentëve. Ata bëjnë të ditur se do të vijojnë komunikimin me ta dhe do të ndihmojnë me materiale didaktike, ndërsa kërkojnë që koha e humbur e mësimit të kompensohet më vonë.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, thekson sindikata në njoftim, duke e cilësuar vendimin si një formë pjesëmarrjeje aktive në protestë. Sipas saj, kthimi në auditore do të bëhet kur studentët të marrin përgjigjet që meritojnë.

©ZëriOnline


