Ishte në kërkim, por jetonte i qetë në shtëpinë e tij. Forca e Posaçme Operacionale e Policisë Kriminale me mbështetjen e Forcave Speciale Renea organizuan operacionin, në masa të larta sigurie, për gjetjen e vendodhjes së të shumëkërkuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Astrit Avdylaj.
50 vjeçari, banues në Shijak, ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Policia njoftoi se në momentin e ndërhyrjes së forcave policore, 50-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Pas rreth një muaji në arrati ku i shpëtoi operacionit “Revanshi”, ai kapet për të ekzekutuar vendimin e gjykatës që ka vendosur masën “arrest në burg” për të.
Prokuroria e Posaçme e akuzon për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Durim Bami, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje ne grup te strukturuar.
Astrit Avdylaj, njihet edhe ndryshe si i forti i Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza për trafik droge, tentativë vrasje, së bashkë edhe me vëllain e tij Altin Avdyli.
Ai u arrestua në vitin 2018 si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet ne Brenogë të Hasit por dosja mbeti pezull për një kohë të gjatë duke çuar në skadimin e afateve të paraburgimit dhe në korrik të vitit 2021 u lirua nga qelia.
Gjatë hetimit të prokurorisë së krimeve të rënda rezultoi se Astrit Avdyli dhe personat e tjerë merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Në korrik të vitit 2021 ai u lirua nga burgu për shkak të tejkalimit të afateve.
Emri i Astrit Avdylajt është përmendur në dosjen e njohur 339 ku rezulton se ai ka njohje dhe lidhje edhe me eksponentë të politikës. Në përgjimet e zbardhura në atë kohë rezulton se ai bisedonte në telefon dhe me ish-kryetarin e bashkisë së Durrësit të asaj kohe, Vangjush Dakon.
Operacioni “Revanshi” vijon.
@zërionline


