Kalaja e Himarës, një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë sonë historike, tashmë shfaqet nën një pamje krejtësisht të re. Procesi i ndriçimit të saj ka përfunduar dhe muret e vjetra janë veshur me dritë, duke i dhënë më shumë hijeshi këtij thesari kulturor.
Ky investim i Bashkisë Himarë jo vetëm që e rrit vlerën estetike të monumentit, por i shton edhe më shumë potencialin turistik, duke e kthyer kalanë në një destinacion të preferuar edhe në orët e mbrëmjes. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, kalaja është vizituar nga mbi 5700 turistë, ndërsa gushti ka sjellë një shtim të ndjeshëm të tyre.
Kalaja e Himarës, mbi 3500 vjeçare, është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë. E ndërtuar mbi një kodër shkëmbore, ajo rrethohet nga dy kanione natyrore mbresëlënëse, ndër të cilët ai i Vishës është pjesë e listës së monumenteve të natyrës. Dokumentet historike dëshmojnë se në shekullin VIII, kalaja u shndërrua në qendër të Peshkopatës së Himarës, duke u kthyer në një pikë të rëndësishme të bregut të Jonit.
Ky investim është një dëshmi se Himara nuk është vetëm sinonim i turizmit detar. Rajoni ka një pasuri të çmuar të objekteve të trashëgimisë historike dhe kulturore, të shpërndara përgjatë bregdetit dhe në fshatrat e saj, që po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Dritat e reja të kalasë i japin jetë historisë, duke e bërë Himarën një destinacion ku ndërthuren natyra, kultura dhe turizmi bashkëkohor.
©️zërionline


