Viti i ri shkollor nuk ka nisur me zhurmën e zakonshme të çantave dhe librave për 185 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos. Fëmijët nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë, jo për mungesë dëshire, por për mungesë transporti. Prej muajsh, godina e shkollës është në proces rikonstruksioni me fonde të Bashkisë së Durrësit. Ndërkohë, mësimi është zhvendosur përkohësisht në shkollën “Neim Babameto” në Spitallë, ku nxënësit vitin e kaluar shkonin me një autobuz të dedikuar, të mundësuar nga autoritetet vendore arsimore.
Por vetëm pak ditë përpara nisjes së shkollës, drejtuesit e shkollës “Met Hasa” janë njoftuar nga Zyra Vendore Arsimore se transporti nuk do të jetë më në dispozicion. Si zgjidhje alternative, fëmijëve u është sugjeruar të përdorin linjën e transportit urban. Ky propozim ka ngjallur shqetësim të thellë te prindërit dhe komuniteti.

“Fëmijët nuk kanë siguri”
Prindërit shprehen se përdorimi i urbanit është i papërshtatshëm për fëmijët, sidomos për ata të ciklit të ulët. Ata e konsiderojnë të rrezikshme dhe të pamundur që fëmijët të udhëtojnë vetëm, ndërkohë që shumë prej tyre janë në punë dhe nuk kanë mundësi t’i shoqërojnë.“Kam dy fëmijë dhe i kemi lënë në shtëpi. Është e pamundur që një fëmijë i klasës së parë, apo edhe një adoleshent, të udhëtojë me urban. Nuk ka asnjë siguri. Vetë nuk i çojmë dot se jemi në punë. Kemi bërë një ankesë në ZVA dhe po presim përgjigje. Në të kundërt, do shkojmë më lart”, – thotë një nënë, e shqetësuar.
Të tjerë prindër shprehen se përveç mungesës së sigurisë, përdorimi i urbanit sjell edhe kosto të përditshme që shumë familje nuk mund ta përballojnë.
“Kam tre fëmijë për në shkollë. Të paguaj abone, të kontribuoj, s’më del. Jam në punë dhe nuk kam mundësi t’i çoj e t’i marr. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit të ndërhyjë. Nuk mund ta çoj vajzën e klasës së dytë vetëm në urban. Kush e pret atje në Spitallë?”, shprehet një tjetër banor.
Situatë e përsëritur, por pa zgjidhje
Sipas mësuesit Pjetër Biba, situata është pasojë e ndërprerjes së shërbimit nga kompania që kishte ofruar transportin vitin e kaluar. Sipas tij, kompania nuk është paguar dhe për këtë arsye ka pezulluar shërbimin. “Kompania që vitin e kaluar mundësoi transportin e nxënësve nga Porto Romano në shkollën pritëse ‘Neim Babameto’, këtë vit nuk ka rifilluar punën, pasi nuk është shlyer. Kjo situatë nuk duhej lënë për ditën e fundit. Urbani është i pasigurt edhe për të rriturit, jo më për fëmijët,”- shprehet Biba.
Të revoltuar nga neglizhenca e institucioneve, prindërit kanë paralajmëruar një protestë që do të zhvillohet ditën e martë në mesditë, përpara shkollës “Met Hasa”. Ata kërkojnë rikthimin e transportit të sigurt dhe të organizuar, ashtu siç ishte deri vitin e kaluar, deri në përfundimin e rikonstruksionit të shkollës, i cili pritet të mbyllet në muajin janar.
“Vitin e kaluar funksionoi. Pse sivjet jo? Shteti duhet ta zgjidhë këtë çështje. Nëse nuk reagojnë, do ndalojmë fëmijët nga shkolla dhe do bllokojmë rrugën”, thonë prindërit.
Në një kohë kur arsimi cilësohet si prioritet kombëtar, 185 nxënës të një shkolle publike në Durrës nuk mund të shkojnë në mësim për shkak të mungesës së një autobusi, duke lënë pas dhjetëra fëmijë të zhgënjyer, e po aq familje qe ndjehen të braktisura nga institucionet.
©️zërionline


