Pas një periudhe të gjatë paraburgimi në Shqipëri, D’Angelo më në fund arriti të kthehej në Itali, si një njeri i lirë, pas lirimit të tij me kusht. 44-vjeçari i cili prej 75 ditësh ishte burgosur në vendin tonë, pasditen e djeshme së bashku me partneren e tij Vanessa Castelli, ka zbarkuar në aeroportin e Fiumicinos në Romë dhe më pas ka shkuar në L’Aquila, në qytezën e tij ku dhe prej vitesh jep mësime në Universitet.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me 22 tetor ka marrë vendimin për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj Michele D’Angelo, nga “Arrest në burg” në masat e kombinuara të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Garanci pasurore”.
Garancia pasurore është përcaktuar në shumën prej 15,000 Euro ose 1,500,000 lekë dhe duhet të depozitohet brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së vendimit, në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.
Asnjë masë kufizuese nuk e pret në atdheun e tij, ku ai mund të vazhdojë jetën pa asnjë pengesë të menjëhershme. Pavarësisht se është liruar nga paraburgimi, ai duhet të presë raportet e ekspertëve, të cilët mund të parandalojnë një gjyq të mundshëm, që mund të ndodhë në të ardhmen.
Michele D’Angelo, pedagog universiteti nga L’Aquila doli nga paraburgimi pas një aksidenti rrugor që akuzohet se shkaktoi më 8 gusht në aksin Levan-Fier.


©️zërionline


