Edhe pse sjellin probleme në terren, reshjet e ditëve të fundit kanë pasur edhe një anë pozitive, ato kanë rikthyer ndjeshëm nivelet hidrike në kaskadën e Drinit, duke i dhënë fund situatës së vështirë të krijuar nga thatësira e gjatë. Për herë të parë pas muajsh, rezervuari i Fierzës po shkon drejt parametrave të qëndrueshëm për prodhimin e energjisë elektrike.
Në Hidrocentralin e Fierzës, prurjet kanë qenë veçanërisht të larta. Vetëm në 24 orët e fundit, në liqenin e Kukësit janë regjistruar rreth 900 m³/s, duke sjellë një rritje të shpejtë të nivelit të ujit. Aktualisht, ai ka arritur në 271 metra, ndërsa kuota maksimale është 298 metra dhe ajo minimale 248 metra. Ky nivel prej 272 metrash konsiderohet optimal për të garantuar prodhim të qëndrueshëm nga të katër agregatët e HEC-it të Fierzës.
Kjo situatë përputhet me ciklin natyror të stinës së vjeshtës dhe dimrit, periudha që zakonisht shoqërohen me reshje intensive dhe rritje të prurjeve lumore.
Vetëm një muaj më parë, situata ishte krejt tjetër. Kaskada e Drinit kishte zbritur në minimumin historik, aq sa dolën në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, një dëshmi e fortë e mungesës së ujit dhe presionit që po ushtronte thatësira mbi sistemin energjetik.
Falë reshjeve të fundit, situata paraqitet më e stabilizuar dhe shumë më premtuese për sigurinë energjetike të vendit.


