Galeria e Arteve Figurative “Nikolet Vasia” në Durrës prej disa kohësh nuk ka furnizim të rregullt me energji elektrike, duke e bërë të pamundur vizitimin e ekspozitave që çelen në të pas orëve të ditës. Shkak mësohet të jetë rrjeti elektrik jo konform standarteve, i cili ka sjellë një ndërprerje të energjisë nga OSHEE, deri në sistemimin nga bashkia.
Situata vjen vetëm pak kohë pasi godina e galerisë u rikonstruktua, por pavarësisht investimit, standardet mbeten larg atyre bashkëkohore që duhet të ketë një galeri arti. Për momentin, vizitorët mund t’i shohin veprat vetëm gjatë ditës, ndërsa galeria vazhdon të presë zgjidhjen e problemit të furnizimit me energji.
Në këtë realitet të zymtë, paradoksalisht, janë zbukurimet ndriçuese të fundvitit në qendër të qytetit që hedhin pak dritë mbi punimet e ekspozitës më të fundit të piktorëve dhe skulptorëve durrsakë.

©️zërionline


