Në një atmosferë të mbushur me ngjyra dhe emocion, Forumi Bizantin u kthye këtë fillimjave në një arenë të artit fëminor me ekspozitën “Qyteti im”. Ekspozita përfshinte 33 punime, të cilat pasqyronin disa nga sitet arkeologjike dhe historike më të rëndësishme të Durrësit, të krijuara nga artistët e vegjël të qytetit, të cilët iu gëzuan çeljes së ekspozitës në një nga monumentet më përfaqësuese të civilizimit të qytetit. Jo vetëm ata dhe prindërit e tyre, por dhe qytetarë durrsakë dhe turistë të huaj u bënë kureshtarë dhe vizituan ekspozitën plot ngjyra të fëmijëve.
“Pashë Vilën e Zogut. Më pëlqeu shumë dhe disa rrugica të qytetit që sapo i kam vizituar. Bukur të kalosh në to dhe të kuptosh nga kjo ekspozitë se i përkasin qytetit të vjetër. Pashë dhe disa objekte të tjera që ende nuk i kam parë në realitet dhe do t’i gjej”, u shpreh një turist londinez.


Përgjegjësja e Galerisë së Arteve Pamore, piktorja Alketa Tragaj, në cilësinë e organizatores së këtij eventi, shprehet se përmes këtyre punimeve, fëmijët jo vetëm shprehin talentin e tyre, por edhe orientohen të njohin më mirë dhe të vlerësojnë vendlindjen e tyre, Durrësin, dhe historinë e tij përmes monumenteve të trashëgimisë sonë kulturore, objekteve dhe rrugicave të qytetit të vjetër.
“Kjo i bën ata të ndjehen krenarë për përkatësinë e tyre dhe të vetëdijshëm për gjithçka, çdo vlerë që mbart ky qytet që duhet ruajtur dhe çuar më tej,” u shpreh një nga prindërit pjesëmarrës.
Sipas Tragajt, artistët e vegjël kanë punuar me kujdes dhe dashuri për të sjellë në telajo objekte-simbol të Durrësit të lashtë. Për t’i dhënë ekspozitës një karakter më gjithëpërfshirës, ishte ideuar dhe ndërthurja e ekspozitës me elementë muzikorë, ku spikati zëri i Lizarda Beqiraj, një nga talentet e reja të qytetit të Durrësit në këngë.
Piktorja Tragaj, njëkohësisht mentorja e tyre, shpërndau certifikatat e vlerësimit për më të mirët, por edhe për çdo pjesëmarrës në këtë ekspozitë që solli një copëz të qytetit të djeshëm e të sotëm në syrin dhe penelin e fëmijëve. Ekspozita jo vetëm që promovon punën e artistëve të vegjël durrsakë, por nxit edhe një ndjenjë krenarie dhe lidhje të thellë të tyre me historinë e qytetit.Prej vitesh, piktorja Alketa Tragaj punon me dashuri dhe pasion me fëmijë dhe të rinj të grupmoshave të ndryshme, duke i ndihmuar ata të ecin dhe maturohen në rrugën e bukur të pikturës. Ajo ndihmon në zhvillimin dhe kultivimin e dashurisë për këtë art pamor tek ta.
@zërionline


