Një operacion i SPAK ka goditur një grup kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Sipas informacioneve paraprake, janë lëshuar 10 masa sigurie, ndërsa deri tani janë arrestuar 4 persona.
Mes të arrestuarve si personazhi kryesor është Ergys Kastrati allias Bishja. Ai u kap në një vilë në një zonë rezidenciale gjatë operacionit të forcave speciale.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar edhe kreu i dyshuar i grupit, Igli Kamberi. Sipas hetimeve, ai akuzohet edhe për përfshirje në vrasjen e një shtetasi italian.

Masat kanë të bëjnë me individë që besohet se janë përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit nga Barletta, Francesco Diviesti ashtu edhe në një rrjet të dyshuar për pastrim parash midis Italisë dhe Shqipërisë. Sipas gjetjeve, një nga të dyshuarit është vendosur në arrest shtëpiak, tre në detyrim paraqitjeje dhe të tjerët janë dërguar në burg.
Hetuesit po rindërtojnë lidhjet, rolet dhe përgjegjësitë brenda një organizate që dyshohet se vepronte në mënyrë të qëndrueshme midis dy brigjeve të Adriatikut.
Hetimi u krye nga Drejtoria Hetimore Anti-Mafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Andrias, me mbështetjen SPAK dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë.
Në qendër të hetimit është një grup i organizuar me seli në kryeqytetin shqiptar dhe aktiv në transferimin e paligjshëm të parave nga Italia në Shqipëri.
Hetimi u krye nga një Ekip i Përbashkët Hetimor i koordinuar nga Eurojust, një agjenci evropiane që promovon bashkëpunimin ndërkombëtar gjyqësor. Hetimet gjithashtu lidhën skemën e dyshuar të pastrimit të parave me zhvillimet në hetimin për vrasjen e Diviestit, e cila ndodhi në Canosa di Puglia më 25 prill 2025.
Francesco Diviesti, një parukier 26-vjeçar nga Barletta, u zhduk në mbrëmjen e 25 prillit 2025, pasi doli nga shtëpia e tij rreth orës 8:30 të mbrëmjes. Imazhet e fundit të disponueshme për hetim e treguan atë disa orë më vonë brenda berberhanes ku punonte me të atin, kamerat e sigurisë së dyqanit e kapën atë duke hyrë në dyqan dhe duke lënë skuterin e tij.
Që nga ai moment, i riu u zhduk plotësisht. Për ditë të tëra, familja dhe miqtë nisën apele publike, ndërsa forcat e rendit intensifikuan kërkimet në të gjithë zonën.
Më 29 prill, historia përfundoi në mënyrën më dramatike: trupi i 26-vjeçarit i cili ishte gjysmë i djegur, u gjet nga karabinierët në një rrënojë në fshat midis Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në lagjen “Femmina morta”.
©ZëriOnline


