Një laborator i mirëorganizuar për falsifikimin e dokumenteve, që dyshohet se përfitonte mijëra euro nga aktiviteti i paligjshëm, është zbuluar dhe goditur nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Gjeneralitetet”. Në pranga kanë përfunduar tre persona, mes tyre babë e bir, të cilët kishin kthyer banesën e tyre në një qendër për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas një pune të gjatë hetimore dhe operative për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Sipas hetimeve, dokumentet e falsifikuara ofroheshin kundrejt shumave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi në flagrancë shtetasit H. M., 53 vjeç, dhe S. M., 24 vjeç, babë e bir, si dhe bashkëpunëtorin e tyre, E. V., 37 vjeç.
Kontrollet e kryera në banesën e përshtatur për këtë aktivitet, në fshatin Rrushkull të Durrësit, zbuluan një sasi të konsiderueshme materialesh të dyshuara të falsifikuara. Në total u sekuestruan 46 dokumente të llojeve të ndryshme, përfshirë diploma, dokumente shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente aplikimi në institucione të ndryshme.
Po ashtu, policia gjeti dhe sekuestroi 2 vula të dyshuara false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë, të cilët dyshohet se përdoreshin për realizimin e falsifikimeve.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë skemë kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


